Shkurt: Te Settings → Backup automatik ndizni backup-in, zgjidhni frekuencën dhe sa kopje të mbahen. Çdo kopje enkriptohet me AES-256; frazën e enkriptimit e shihni te “Enkriptimi” dhe e ruani jashtë kompjuterit. Shkarkoni rregullisht një kopje dhe ruajeni jashtë klinikës. Rikthimi bëhet me “Rikthe” te Kopjet lokale dhe zëvendëson gjithë bazën.
Caktimi
- Hyni si admin dhe hapni Settings → Backup automatik.
- Shënoni “Aktivizo backup automatik”.
- Te “Frekuenca” zgjidhni sa shpesh: një herë në javë, në 2 javë, në 3 javë ose në muaj.
- Te “Sa kopje të mbahen” zgjidhni sa kopje të fundit ruhen (parazgjedhja është 6), dhe klikoni “Ruaj konfigurimet”.
- Me “Bëj backup tani” krijoni kopjen e parë menjëherë.
Çdo kopje enkriptohet me AES-256, gjithmonë: kopje pa enkriptim nuk krijohet. Nëse nuk keni vendosur frazë, programi krijon vetë një frazë të rastit me backup-in e parë.
Fraza e enkriptimit
Pa frazën, kopja nuk hapet. Te Settings → Backup automatik → “Enkriptimi” klikoni “Shfaq frazën”, shkruani fjalëkalimin tuaj dhe shënojeni frazën në letër ose në një menaxher fjalëkalimesh, jashtë kompjuterit të klinikës. Te “Ndrysho frazën” mund të vendosni frazën tuaj (të paktën 12 shenja) ose të kërkoni një të re të rastit.
Nëse nuk doni që fraza të ruhet as në server, zgjidhni “Vetëm klinika”. Serveri i krijon kopjet, por nuk i hap dot: i hap vetëm kush e di frazën e klinikës. Nëse fraza humbet, kopjet nuk i hap dot askush, as Mjeku.App.
Shkarkimi dhe ruajtja
Te “Kopjet lokale” klikoni emrin e kopjes për ta shkarkuar. Skedari .zip hapet me frazën e enkriptimit, p.sh. me 7-Zip. Te “Vetëm klinika”, fjalëkalimin e një kopjeje e jep “Enkriptimi” → “Fjalëkalimi i arkivit”, me frazën e klinikës; kopja në kompjuter nuk ngarkohet në server.
- Shkarkoni një kopje të paktën një herë në muaj, dhe pas çdo ndryshimi të madh.
- Ruajeni në dy vende, p.sh. në një disk të jashtëm dhe në një kompjuter tjetër, jo vetëm në kompjuterin e recepsionit.
- Te “Historiku i xhirove” shihni kur u bë kopja e fundit.
Rikthimi i të dhënave
Rikthimi i plotë zëvendëson gjithë bazën e të dhënave të klinikës me atë të kopjes. Prandaj bëhet vetëm kur duhet vërtet, p.sh. pas një gabimi të madh.
- Te Settings → Backup automatik → “Kopjet lokale” klikoni “Rikthe” te kopja që doni. Te “Vetëm klinika” shkruani më parë frazën e klinikës. Një kopje nga kompjuteri e ngarkoni te Import / Export → Import, si “Backup automatik (.zip / .7z)”, me frazën e saj (deri në 115 MB).
- Faqja e konfirmimit tregon sa të dhëna dhe sa dokumente ka kopja. Lëreni të shënuar “Rikthe edhe dokumentet” nëse doni edhe dokumentet e pacientëve.
- Konfirmoni: shënoni që e kuptoni se veprimi fshin dhe zëvendëson të dhënat, shkruani “FSHIJE GJITHCKA”, jepni fjalëkalimin tuaj dhe klikoni “Konfirmo restaurimin”.
Para rikthimit programi bën vetë një kopje sigurie të gjendjes aktuale, që mund ta shkarkoni nëse ju duhet. Nëse nuk jeni të sigurt, na shkruani te support@mjeku.app para se ta nisni.
Mjeku.App ka 7 ditë provë falas, pa kartë krediti. Çdo hap i këtij udhëzuesi e bëni në programin tuaj që ditën e parë.
Provo 7 ditë falas →Lexoni edhe
Publikuar më 27 shtator 2026. Keni pyetje? Na shkruani te info@mjeku.app.