Marrëveshja për përpunimin e të dhënave
Marrëveshja (DPA) mes klinikës dhe AlphaMedical LLC për të dhënat e pacientëve dhe të tjera që klinika i ruan në Mjeku.App, sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Shkurt: klinika vendos për të dhënat e pacientëve; ne i përpunojmë vetëm për t'ia ofruar programin dhe vetëm sipas udhëzimeve të saj. Serveri është te Hawk Host në SHBA, pa nënpërpunues tjetër. Për një shkelje të sigurisë e njoftojmë klinikën brenda 48 orësh. Marrëveshja është pjesë e Kushteve të përdorimit dhe pranohet me regjistrimin.
1. Palët dhe roli
- Përpunuesi: AlphaMedical LLC, Rr. Behar Begolli, 10000 Prishtinë, Kosovë, që ofron programin Mjeku.App (“ne”).
- Kontrolluesi: klinika, ordinanca apo institucioni që regjistrohet në Mjeku.App dhe pranon Kushtet e përdorimit (“klinika”).
Kjo marrëveshje rregullon përpunimin që bëjmë në emër të klinikës, sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Është pjesë e Kushteve të përdorimit dhe pranohet bashkë me to gjatë regjistrimit. Për të dhënat ku jemi vetë kontrollues (regjistrimi, faturimi, llogaritë e stafit për hyrje dhe siguri) vlen Politika e privatësisë.
2. Çfarë përpunojmë
| Qëllimi | Ofrimi i programit për klinikën: terminet, kartela e pacientit, vizitat dhe raportet, dokumentet, pagesat dhe fiskalizimi, financat dhe modulet që zgjedh klinika; backup-i, mbështetja teknike me kërkesë të klinikës dhe siguria e shërbimit. |
| Veprimet | Ruajtja, organizimi, kërkimi, shfaqja, printimi, eksporti, backup-i dhe fshirja, në instancën e veçantë të klinikës. |
| Personat | Pacientët e klinikës dhe personat e tjerë që klinika i fut në program, p.sh. punëtorët te moduli i pagave. |
| Të dhënat | Identifikimi dhe kontakti (emri, datëlindja, gjinia, numri personal, telefoni, email-i, adresa); të dhënat shëndetësore (alergjitë, vizitat, diagnozat, raportet, fletëlëshimet, dokumentet dhe fotot); pagesat, faturat dhe borxhi; te moduli i pagave, pagat dhe kontributet e punëtorëve. Çfarë futet në program e vendos klinika. |
| Kohëzgjatja | Sa zgjat abonimi, plus periudha pas skadimit te pika 9. |
3. Udhëzimet e klinikës
- Të dhënat i përpunojmë vetëm sipas udhëzimeve të dokumentuara të klinikës: kjo marrëveshje dhe Kushtet, mënyra si klinika e përdor dhe e konfiguron programin, dhe kërkesat me shkrim të administratorit të klinikës.
- Nuk i përdorim për asnjë qëllim tjetër: as për reklama, as për shitje, as për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
- Nëse ligji na detyron t'ia japim të dhënat një autoriteti, e njoftojmë klinikën më parë, përveç kur ligji e ndalon njoftimin.
- Nëse mendojmë se një udhëzim i klinikës e shkel ligjin, e njoftojmë menjëherë.
4. Konfidencialiteti dhe siguria
- Qasje teknike në të dhënat e klinikës kanë vetëm personat që i autorizojmë ne, të detyruar me konfidencialitet. Qasja bëhet vetëm kur e kërkon klinika për mbështetje, kur e kërkon siguria e shërbimit ose ligji, dhe kufizohet në minimumin e nevojshëm.
- Zbatojmë masat teknike dhe organizative të Shtojcës 2. I përmirësojmë me kohën, por nuk e ulim kurrë nivelin e mbrojtjes.
5. Nënpërpunuesit
- Klinika na autorizon të përdorim nënpërpunuesit e Shtojcës 1.
- Para se të shtojmë apo të ndërrojmë një nënpërpunues, e njoftojmë administratorin e klinikës me email të paktën 30 ditë përpara. Klinika mund ta kundërshtojë me shkrim brenda këtij afati. Nëse s'gjejmë zgjidhje, klinika mund ta anulojë abonimin para se ndryshimi të hyjë në fuqi dhe merr eksportin e plotë të të dhënave.
- Për punën e nënpërpunuesve mbetemi përgjegjës ndaj klinikës njësoj si për punën tonë.
6. Ruajtja jashtë Kosovës
- Të dhënat ruhen në serverin e dedikuar të Mjeku.App te Hawk Host Inc., në Dallas, Teksas (SHBA), pra jashtë Kosovës. Kjo shënohet edhe te Politika e privatësisë, pika 5.
- I mbrojmë me masat e Shtojcës 2: lidhje të enkriptuara, instancë e izoluar për çdo klinikë, backup i enkriptuar dhe administrim vetëm përmes VPN-së.
- Nuk i bartim në asnjë vend tjetër pa e njoftuar klinikën sipas pikës 5.
- Klinikat që kanë nevojë që të dhënat të ruhen në një vend tjetër na shkruajnë te info@mjeku.app.
7. Ndihma për klinikën
- Kërkesat e pacientëve për qasje, korrigjim dhe eksport klinika i plotëson vetë në program (kartela e pacientit, eksporti në Excel/CSV dhe PDF). Kur duhet fshirja e plotë e një pacienti nga baza, e bëjmë ne me kërkesën me shkrim të administratorit të klinikës.
- Nëse një pacient na drejtohet neve, ia përcjellim kërkesën klinikës pa vonesë dhe nuk i përgjigjemi vetë, përveç kur klinika na e kërkon.
- E ndihmojmë klinikën, në masën që lidhet me programin, për sigurinë e përpunimit, për vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave dhe për konsultimet me Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
8. Shkeljet e sigurisë
- Kur zbulojmë një shkelje të sigurisë që prek të dhënat e klinikës, e njoftojmë administratorin e klinikës pa vonesë të panevojshme dhe jo më vonë se 48 orë pas zbulimit.
- Njoftimi përmban atë që dimë në atë çast: çfarë ndodhi, cilat të dhëna dhe përafërsisht sa persona preken, pasojat e mundshme dhe masat që morëm ose propozojmë. Pjesën tjetër e dërgojmë sapo ta kemi.
- Marrim menjëherë masa për ta ndalur shkeljen dhe për ta kufizuar dëmin, dhe e ndihmojmë klinikën në njoftimin e AIP-së dhe të pacientëve kur ligji e kërkon.
9. Fundi i shërbimit: kthimi dhe fshirja
- Pas skadimit ose anulimit, programi kalon në vetëm-lexim për 120 ditë: klinika i sheh dhe i eksporton të gjitha të dhënat (pacientët, vizitat, dokumentet, backup-i i plotë). E paralajmërojmë me email në ditët 30, 60 dhe 85, dhe në ditën 90 përgatisim një backup të plotë final.
- Në ditën 120, ose më herët me kërkesën me shkrim të administratorit të klinikës, i fshijmë përfundimisht të gjitha të dhënat e klinikës dhe fshirjen e konfirmojmë me shkrim.
- Kopjet në backup-in ditor të serverit fshihen vetë me rrotullimin e backup-eve, brenda 15 ditëve pas fshirjes.
- Pas fshirjes mbajmë vetëm atë që na e kërkon ligji për vetë abonimin (faturat dhe regjistrat kontabël), asnjë të dhënë pacienti.
10. Informacioni dhe auditimi
- Me kërkesë të klinikës i japim informacionin që i duhet për të treguar se i zbatojmë këto detyrime, si përshkrimin e masave të sigurisë dhe listën e nënpërpunuesve.
- Klinika, ose një auditor i pavarur që ajo cakton dhe që detyrohet me konfidencialitet, mund të bëjë një auditim në vit, me njoftim me shkrim 30 ditë përpara, në orar pune dhe me shpenzimet e veta. Auditimi nuk përfshin qasje në të dhënat e klinikave të tjera, as në informacione që do ta rrezikonin sigurinë e shërbimit.
- Kontrollet që i kërkon AIP-ja i lejojmë sipas ligjit.
11. Detyrimet e klinikës
- Klinika është përgjegjëse për ligjshmërinë e përpunimit: bazën ligjore, informimin e pacientëve dhe, kur duhet, pëlqimin e tyre, si dhe afatet e ruajtjes së dokumentacionit mjekësor.
- Klinika menaxhon llogaritë e stafit, rolet dhe lejet, dhe kujdeset që fjalëkalimet, verifikimi dy-hapësh dhe fraza e backup-it të ruhen të sigurta.
- Shërbimet që i zgjedh dhe i lidh vetë klinika janë nën kontrollin e saj dhe nuk janë nënpërpunuesit tanë: asistenti AI (me çelësin API dhe ofruesin e klinikës), serveri i email-it (SMTP) i klinikës dhe arka fiskale me ZFPLabServer në rrjetin e klinikës.
12. Përgjegjësia, ligji dhe ndryshimet
- Për përgjegjësinë, ligjin e zbatueshëm dhe mosmarrëveshjet vlejnë pikat 12 dhe 14 të Kushteve të përdorimit.
- Marrëveshja vlen sa kohë përpunojmë të dhënat e klinikës, edhe pas skadimit të abonimit, deri në fshirjen sipas pikës 9.
- Ndryshimet e rëndësishme i njoftojmë me email të paktën 30 ditë përpara. Ndryshimet që i kërkon ligji ose AIP-ja vlejnë nga data që caktojnë ata.
- Për të dhënat personale, kur kjo marrëveshje dhe Kushtet thonë gjëra të ndryshme, vlen kjo marrëveshje.
13. Kontakti
Për këtë marrëveshje dhe për të dhënat personale: info@mjeku.app. Për shkeljet e sigurisë dhe mbështetjen teknike: support@mjeku.app. Adresa: AlphaMedical LLC, Rr. Behar Begolli, 10000 Prishtinë, Kosovë.
Shtojca 1. Nënpërpunuesit
| Nënpërpunuesi | Çfarë bën | Ku |
|---|---|---|
| Hawk Host Inc. | Serveri i dedikuar dhe rrjeti ku punon Mjeku.App | Dallas, Teksas (SHBA) |
Nuk ka nënpërpunues tjetër. Sistemin operativ, bazat e të dhënave, email-in, DNS-in, backup-in ditor dhe monitorimin i administrojmë vetë në të njëjtin server. Nuk përdorim CDN, analitikë apo shërbime të tjera që marrin të dhënat e klinikës, dhe njoftimet automatike të sigurisë nuk përmbajnë të dhëna pacientësh.
Shtojca 2. Masat e sigurisë
Izolimi i klinikës
- Çdo klinikë ka adresën (klinika.mjeku.app), përdoruesin e serverit, procesin PHP, bazën e të dhënave dhe përdoruesin e bazës të vetat; një klinikë nuk mund të arrijë skedarët apo të dhënat e një tjetre.
- Dokumentet e pacientëve ruhen në dosje private që nuk shërbehen kurrë drejtpërdrejt në internet.
Qasja dhe gjurmët
- Hyrja me email dhe fjalëkalim, verifikim dy-hapësh (app autentikimi, kode rikuperimi, pajisje të besuara) dhe kyçje automatike e ekranit.
- Role dhe leje për çdo përdorues, dhe mundësia që mjekët të shohin vetëm pacientët e tyre.
- Regjistër i plotë i veprimeve (kush pa, kush ndryshoi, kush anuloi, me IP dhe kohë); anulimet nuk fshijnë, vetëm shënojnë.
- Butoni i emergjencës mbyll qasjen e stafit me një klikim, pa prekur të dhënat.
Enkriptimi
- Çdo lidhje me HTTPS (TLS 1.2/1.3, HSTS).
- Backup-i i klinikës krijohet gjithmonë i enkriptuar (AES-256); në mënyrën “vetëm klinika” fraza e enkriptimit nuk ruhet në server.
- Fjalëkalimet ruhen vetëm si hash; sekretet e tjera në bazë (fjalëkalimi i SMTP-së, çelësat API) ruhen të enkriptuara.
Serveri dhe administrimi
- Server i dedikuar vetëm për Mjeku.App; firewall që lejon vetëm shërbimet e nevojshme, bllokim automatik i tentativave të sulmit dhe përditësime automatike të sigurisë.
- Qasja teknike në server (SSH), paneli i administrimit dhe baza e të dhënave hapen vetëm përmes VPN-së WireGuard, me çelës; kurrë nga interneti publik.
- Monitorim dhe njoftime automatike për ngjarjet e sigurisë.
- Backup ditor i serverit, i qasshëm vetëm për administratorin e sistemit, që mbahet 14 ditë.
Vazhdimësia dhe organizimi
- Licenca e skaduar nuk e bllokon kurrë leximin dhe eksportin; klinika i eksporton të dhënat në çdo kohë.
- Qasja teknike e stafit tonë bëhet vetëm sipas pikës 4, me detyrim konfidencialiteti.
Versioni 1.0, në fuqi nga 27 shtator 2026.